Rrënojat e qytetit të fortifikuar iliro-arbëror të Beratit ndodhen mbi një kodër 187 m të lartë në të djathtë të grykës së lumit Osum. Ndonëse jeta në këtë kodër shkëmbore (9,6 hektarëshe dhe 161 m të lartë nga Aps-i (Osumi)), nis që në eneolit, qyteti i fortifikuar i përket shek. IV p.e.sonë. Kodra ka formën e një trekëndëshi ose më saktë, të një maje shigjete të drejtuar nga veriu. Si rrjedhojë, qarku i mureve e ripërsërit formën e kodrës, duke fituar trajtën e një trekëndëshi brinjë lakuar me sipërfaqe 9,6 ha. I tërë ky qark prej 1440 m, përforcohet nga njëzetë e katër kulla me forma dhe përmasa të ndryshme, të ndërtuara në kohë të ndryshme. Aktualisht, ky monument ka pesë porta hyrëse. Porta veriore e oborrit të fortifikuar, paraqet interes për shkak të elementeve përbërës të saj. Në krahun e majtë të qemerit të portës gjendet një monogram, realizuar me tulla të kuqe, që i përket ndërtimeve te periudhës bizantine të vitit 1204.
Muret e Antipatreas (Beratit) i përkasin gjysmës së parë të shek. IV p.e.sonë. Këto mure paraqesin një mozaik teknikash ndërtimi, duke filluar nga muret e periudhës ilire, bizantine, e principatave feudale shqiptare, osmane dhe ajo e pashallëqeve të mëdha, duke formuar kështu një zinxhir të pakëputur të artit të fortifikimit. Me fuqizimin dhe me zhvillimin e qytetit, fortifikimi filloi të zgjatohej më poshtë kodrës, duke u bashkuar me lumin me dy mëngë, me një sipërfaqe prej 3,4 ha. Me këtë shtrirje e tërë sipërfaqja e rrethuar (qyteti i poshtëm dhe qyteti i sipërm) arriti në 13,4 ha. Gërmimet arkeologjike të bëra në kalanë e Beratit (në vitet 1973-1975 dhe 1978) flasin për një vazhdimësi të pandërprerë të banimit që nga periudha paraqytetare deri në mesjetën e vonë dhe gjithashtu, vijon të banohet deri sot.
Kalaja e Beratit, si një nga monumentet më të bukur dhe më të rëndesishëm të historisë dhe kulturës shqiptare, mirëpret qindra e mijëra vizitorë vendas e të huaj. Në brendësi të saj ka njëqind e dyzetë e tetë objekte monumente kulture, si banesa karakterisitke, objekte kulti por duke përfshirë edhe muret e kalasë.
E hënë: 8:00-16:30
E martë: 8:00-16:30
E mërkurë: 8:00-16:30
E enjte: 8:00-16:30
E premte: 8:00-14:00
E shtunë: Pushim
E diel: Pushim
Abonohuni ne buletinin tonë informativ për të rejat më të fundit.
Copyright © 2024. All rights reserved