Reth Nesh

Historiku i DRTK

Berati u cilësua “Qytet Muze” dhe u vendos në mbrotje shtetërore në vitin 1961 me Vendim të Këshillit të Ministrave për vlerat e mëdha arkitektonike. Rëndësia për mbrojtjen e monumenteve u fuqizua me themelimin e Institutit të Mbrojtjes dhe Restaurimit të Monumenteve, sipas vendimit Nr.67, datë 15.03.1965. Instituti u krijua mbi bazën e sektorit të mbrojtjes dhe restaurimit të monumenteve, ateljesë qendrore dhe të ateljeve të tjera për konservimin e monumenteve në rrethe. Krijimi i këtyre institucioneve të specializuara mundësoi vlerësimin e monumenteve të arkitekturës duke i restauruar, konservuar, konsoliduar, mirëmbajtur në mënyrë sistematike. Ekipe specialistësh të rinj, të cilët kishin mbaruar studimet universitare, gjatë dy dhjetëvjeçarësh, kryen një veprimtari të gjerë hulumtuese për gjurmimin, dokumentimin paraprak dhe vënien në mbrojtje të monumenteve në mbarë vendin. Ateljeja e Beratit u plotësua me kuadër të lartë e të mesëm në restaurim dhe me mjaft mjeshtra të aftë për konservimin dhe restaurimin e monumenteve. Në vitin 1973, Ateljeja e Beratit mori statusin e Degës së Monumenteve në varësi administrative nga IMK Tiranë dhe u ngarkua me mbikqyrjen e monumenteve të qëndrës historike dhe monumenteve të rrethit të Beratit. Në vitin 2003, nga “Dega e Monumenteve të Kulturës Berat”, mori statusin e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës me varësi nga IMK Tiranë dhe nga Ministria e Kulturës. Në vitin 2008 institucioni emërtohet Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Berat. Ky vit shënoi dhe një nga ngjarjet më përfaqësuese për qytetin e Beratit. Në datën 8 Korrik të vitit 2008 Berati u regjistrua në Listën e UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në Konferencën e mbajtur në Kanada. Me ligjin Nr.27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” në nenin 31, institucioni emërtohet Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (DRTK), emërtim që vijon ta ketë edhe sot.

Misioni Ynë

DRTK Berat është institucion rajonal i specializuar, tekniko-administrativ buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe ushtron veprimtarinëe saj në fushën e trashëgimisë kulturore, me seli në Berat. DRTK Berat ka për mision ruajtjen, mbrojtjen, mirëmbajtjen, konservimin dhe restaurimin e monumenteve të kulturës si edhe promovimi i vlerave të Trashëgimisë Kulturore materiale dhe jomateriale në territorin administrativ nën juridiksionin e saj.

Veprimtaria Jonë

DRTK Berat monitoron dhe administron qendrën historike Berat, si pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe siguron ruajtjen e vlerës së veçantë universale të saj. Specialistët e drejtorisë hartojnë projekte konservimi, restaurimi, vlerësimi, projekte të tjera në fushën e trashëgimisë kulturore dhe bashkërendon punën për zbatimin e tyre në nivel rajonal e vendor. Me qëllim ruajtjen e pa ndryshuar të vlerave të monumenteve te kultures, kryen verifikime sistematike apo në bazë të kërkesave të paraqitura për gjendjen e pasurive kulturore në territorin që administron si dhe ushtron kontrollin teknik mbi kushtet e ruajtjes së pasurive kulturore, duke përfshirë edhe fondet muzeore, si dhe të zonave që u nënshtrohen dispozitave të mbrojtjes indirekte. Në bazë të verifikimeve në terren merr masa në raste të situatave emergjente, kur rrezikohet gjendja e pasurive kulturore. Këto masa konsistojnë ne kryerjen e ndërhyrjeve, punimeve konservimi dhe restaurimi në pasuritë kulturore në bazë të projekteve të miratuara në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Na kontaktoni

Në rast se keni një kërkesë, ankesë apo një opinion për sa i përket objekteve që kemi nën mbikqyrjen tonë ose shërbimit që ju është ofruar, ju lutem të na kontaktoni.