Xhamia përbëhet nga salla e faljeve, hajati me brinjën më të shkurtër dhe minarja. Ajo ruhet në gjendje rrënoje pranë mureve të akropolit dhe mureve rrethuese. Minarja është e ruajtur më mirë dhe më me vlera në këtë monument.
Datimi i xhamisë së Kuqe është i vështirë. Janë dhënë mendime të ndryshme duke u nisur nga emri ose minarja. Sipas M. Kiel, kjo xhami duhet të jetë ndërtuar menjëherë pas marrjes së Beratit më 1417. Përmendja më e hershme që gjendet për këtë xhami është në tahririn e vitit 835 H (1431-1432), i cili regjistron një “imam të kalasë” në Berat nën emrin Haxhi Fakih. Prej gjurmimeve të Gjergj Frashërit dhe Sulejman Dashit, ata kanë arritur në përfundimin, se kjo është vepra më e hershme e sferës islame në qytetin e Beratit. Mbështetur në elementet tipologjike e stilistike të xhamisë së Kuqe, këta studiues mbeten gjithmonë të mendimit se ajo është ndërtuar në fund të shek. XIV, në periudhën e mbretërimit të Bajazitit I (1389-1402). Mendimit të Kiel i bashkohet edhe Aleksandër Meksi. Përsa i përket argumenteve arkitektonike që sillen për një datim të hershëm, për formën dhe mënyrën e ndërtimit të minares, Meksi thotë se shembujt e sjellë janë mjaft të largët.
Burimet dokumentare dhe gërmimet arkeologjike në të ardhmen do të ndihmojnë në të dhëna mbi datimin e xhamisë sa më afër të vërtetës.

E hënë: 8:00-16:30
E martë: 8:00-16:30
E mërkurë: 8:00-16:30
E enjte: 8:00-16:30
E premte: 8:00-14:00
E shtunë: Pushim
E diel: Pushim
Abonohuni ne buletinin tonë informativ për të rejat më të fundit.
Copyright © 2024. All rights reserved