Kjo vepër inxhinierike lidh dy lagjet e qytetit të Beratit: Mangalemin dhe Goricën. Ajo hyn në tipin e urave me shumë qemerë me kreun e valëzuar. Ura është 130 m e gjatë dhe 3,6 m e gjerë. Ka tetë harqe në formë segmenti rrethor, shtatë këmbë dhe dy mbështetje anësore. Sipas Evlija Çelebiut, në shek. XVII, ura ka qenë me nëntë harqe prej druri, por themelet e urës qendronin mbi këmbë prej gurësh, të zhytur në ujë. Kthimin nga urë e drunjtë në atë të gurtë duhet ta shohim në gjysmën e dytë të viteve ’60 të shek. XVIII. Ura e Goricës në vitet 1771-1778 është meremetuar disa herë pasi dëmtohej. Më 6 dhjetor 1888, nga shkaku i shirave të jashtëzakonshëm që ranë në atë kohë, ura u dëmtua. Nga gushti deri në tetor të vitit 1911, në urën e Goricës u kryhe një përforcim. Në vitin 1918, në mbarim të Luftës së Parë Botërore, austriakët i vunë dinamitin urës dhe prishën mesin e saj, ndërsa italianët që erdhën pas tyre vendosën pranë harkut të prishur një pasarelë të varur me kavë çeliku. Pas largimit nga Berati, italianët hodhën në erë urat e rëndësishme të qytetit, si urën e Goricës dhe urën e Hasan Beut, duke paralizuar tregtinë e qytetit. Në vitin 1924 ura u rikonstruktua nga bashkia e Beratit, ndërsa gjatë viteve 1936-1937 ajo pesoi riparime të tjera.
E hënë: 8:00-16:30
E martë: 8:00-16:30
E mërkurë: 8:00-16:30
E enjte: 8:00-16:30
E premte: 8:00-14:00
E shtunë: Pushim
E diel: Pushim
Abonohuni ne buletinin tonë informativ për të rejat më të fundit.
Copyright © 2024. All rights reserved